Dezinformimi, një sfidë më shumë për gazetarët dhe lirinë e medies në Kosovë

Në periudhën e pandemisë dhe në përballjen me infodeminë, na duhet gazetari profesioniste, gazetari e lirë, gazetari në shërbim dhe sa më afër publikut, për ta informuar dhe për të mos e lënë atë, pra publikun, të vetmuar përballë një morie dezinformatash, qofshin këshilla të gabuara kinse mjekësore, thashetheme apo të pavërteta që përfundojnë në teori konspiracioni.

 

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit edhe sivjet i gjen gazetarët në Kosovë në një gjendje të pafavorshme për të ushtruar profesionin e tyre.  Në kontekst krahasimor me shtetet fqinje të rajonit, Kosova vijon të renditet më mirë se to në indeksin e Lirisë së Shtypit të ‘Reporterëve pa Kufij’, por kjo nuk do të thotë se situata është përmirësuar te ne.

Çdo 3 maj përsëritet kërkesa për të mbrojtur medien dhe lirinë e saj nga presionet politike, ekonomike dhe nga grupet e ndryshme të interesit.  Prandaj, vazhdon të jetë imediat synimi për ta çliruar medien nga këto presione dhe për t’iu krijuar gazetarëve kushte më të mira të punës, kontrata të cilat sigurojnë qëndrueshmëri ekonomike dhe, gjthësesi, edhe siguri e mbrojtje institucionale. Vetëm duke krijuar kushte pune, stabilitet financiar dhe siguri për gazetarët, ata do të mund të jenë të lirë për të raportuar profesionalisht, në mënyrë objektive, të saktë dhe pa censurë apo vetëcensurë dhe, gjithashtu, edhe për të kritikuar dhe për të kundërshtuar fenomenet, dukuritë, veprimet negative dhe bartësit e tyre.

Sulmet ndaj gazetarëve janë përsëritur edhe në 365 ditët e fundit. Gazetari në Kosovë vijon të ballafaqohet me fyerje, linçime, kërcënime verbale dhe fizike. Sipas AGK-së, që nga shfaqja e pandemisë, në Kosovë kanë ndodhur 8 raste rrezikimi ndaj gazetarëve, dy janë sulme fizike, një tentim-sulm, dy kërcënime, dy etiketime dhe një rast i pengimit gjatë kryerjes së detyrës. Gjithashtu, gazetari në Kosovë vijon të ballafaqohet me paqëndrueshmërinë ekonomike financiare. Madje, kjo paqëndrueshmëri financiare është e  theksuar edhe më shumë në këtë kohë krize pandemie. Ky 3 maj nuk e gjen gazetarin vetëm me shqetësimin për mungesë të kontratës, por vazhdimisht e ngacmon droja se mos do t’i duhet të vazhdojë punën me pagë më të ulët, apo do të mbetet papunë fare. Të dyja këto, tashmë janë përjetuar nga disa gazetarë, qoftë zvogëlimi i pagës apo largimi nga puna, madje, pa u paralajmëruar fare, siç e kërkon Ligji.

Krahas gjithë këtyre sfidave, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, gazetarinë në Kosovë dhe jo vetëm, e gjen të sfiduar edhe nga infodemia, dezinformimi i vazhdueshëm lidhur me pandeminë, COVID-19. Në këtë kohë pandemie dhe në përballjen me infodeminë, na duhet gazetari profesioniste, gazetari e lirë, gazetari në shërbim dhe sa më afër publikut, për ta informuar dhe për të mos e lënë atë, pra publikun, të vetmuar përballë një morie dezinformatash, qofshin këshilla të gabuara kinse mjekësore, thashetheme apo të pavërteta që përfundojnë në teori konspiracioni.

Dezinformimi po sfidon seriozisht profesionin e gazetarit dhe në këtë kohë krize, përmasat e tij janë rritur aq shumë, sa që po e sulmon gazetarinë në thelb. Sot, në periudhën e pandemisë, gazetari nuk është më dërguesi i vetëm i informacionit. Informacioni tashmë i dërgohet publikut, edhe pa ndërmjetësimin e gazetarit, prandaj pyetja është, çfarë duhet bërë gazetari për t’i dhënë më shumë vlerë informacionit që ai e plason te publiku. Kjo kërkon nga gazetari që t’u përmbahet vlerave profesionale të gazetarisë, por edhe ndonjë postulati përcjellës, siç janë, fjala vjen konfirmimi e ngulmimi, krahas paanshmërisë dhe parimeve kryesore të gazetarisë . Gazetari duhet të këmbëngul që me informacionet dhe lajmet që i përcjellë, të konfirmohet te publiku, ta bind atë, pra publikun, se ai është adresa për informim të saktë, të drejtë dhe të shpejtë, dhe jo adresat tjera në Facebook e gjetkë. Pra, në të kohë pandemie dhe jo vetëm, nga gazetari kërkohet përkushtim që në raportimin e tij gjithmonë të ketë objektivitet dhe saktësi, të përdorë burime zyrtare dhe të intervistojë ekspertët e fushës, duke trajtuar edhe problematikat e krijuara nga dezinformatat e shpërndara në shoqëri.

Gjithashtu, duhet të vihet së spikamë fakti që, mungesa e edukimit medial në planprogramet shkollore krijon konsumues pasivë të lajmeve dhe informacioneve, sepse atyre u mungon aftësia për të gjykuar çdo informacion që pranojnë, çka krijon terren të përshtatshëm për shpërndarje të dezinformatave, që ushtrojnë ndikim të dëmshëm te publiku, por, njëkohësisht, e cenojnë jashtëzakonisht shumë edhe besueshmërinë e mediave dhe të gazetarëve në raport me publikun.

Në kohën e pandemisë, është shumë e rëndësishme të kemi liri të medieve për të na ndihmuar ta përballojmë këtë krizë. Gazetarët po e rrezikojnë jetën e tyre në këtë periudhë pandemie, për të mbajtur publikun të informuar, prandaj përveç se duhet t’iu themi, faleminderit!, gjithashtu duhet të kontribuojmë që 3 maji i 2021-s t’i gjejë në gjendje më të mirë.

 

Maj 2020

Ky artikull është botuar në: Portalb; Indeksonline; EJO;

 

 

Show Comments

No Responses Yet

Leave a Reply