Edukimi medial duhet të promovohet, por si dhe cilat janë sfidat?

Gjatë vitit 2020, Qeveria e re dhe institucionet e saj duhet të ndërtojnë një strategji për edukim medial, në mënyrë që edukimi medial të shtrihet edhe te fëmijët, edhe tek të rinjtë, edhe tek të rriturit, duke filluar me arsimim formal, ku përfshihen të gjitha grupmoshat e fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe duke zbatuar edhe arsimimin joformal për të rriturit.

 

Aftësia për të pasur gjykim kritik ndaj përmbajtjeve mediale është strumbullari dhe qëllimi i nocionit të edukimit medial. Kur kihet parasysh nevoja për ngritjen e nivelit të gjykimit kritik ndaj përmbajtjeve mediale në shoqërinë tonë, lehtë vijmë në përfundim se trajtimi i edukimit medial te fëmijët, te të rinjtë apo te të rriturit/të moshuarit përballet me sfida të ndryshme, që këndej edhe me zgjidhje të ndryshme. “Java Globale për Edukimin mbi Medien dhe Informacionin” tregoi se sa shumë është bërë e rëndësishme çështja e edukimit medial, kudo anembanë botës. Më vjen mirë që edhe në Kosovë, çdoherë e më shumë, po vetëdijesohemi për nevojën e shoqërisë për edukim medial.

Çfarë duhet bërë?

Gjatë vitit 2019, bashkë me disa kolegë të Departamentit të Gazetarisë, jemi angazhuar në trajnimin e mësimdhënësve për edukim medial, në të gjitha komunat e Kosovës. Në muajt e fundit kisha rastin të mbaja trajnim për edukimin medial për mësimdhënësit dhe trajnim për lajmin e rremë me të rinj në disa qytete të Kosovës. Këto angazhime më nxitën të mendoj edhe më shumë për edukimin medial si pjesë e domosdoshme e të gjithëve, pavarësisht nga përkatësia shoqërore, moshore, gjinore dhe profesionale, qofshin fëmijë, të rinj, të rritur apo të moshuar.

Promovimi i edukimit medial është një nga format dhe mënyrat parësore, por, edhe me rastin e zbatimit të kësaj forme, duhet të jemi të vëmendshëm se si e promovojmë edukimin medial, sepse, nuk mund të promovohet njëjtë për fëmijët, njëjtë për të rriturit dhe njëjtë për të moshuarit. Prandaj gjatë vitit 2020, Qeveria e re dhe institucionet e saj duhet të ndërtojnë një strategji për edukim medial, në mënyrë që edukimi medial të shtrihet edhe te fëmijët, edhe te të rinjtë, edhe te të rriturit, duke filluar me arsimim formal, ku përfshihen të gjitha grupmoshat e fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe duke zbatuar edhe arsimimin joformal për të rriturit.

 

Por, cilat janë sfidat që na presin?

Për fëmijët, qasja krijohet më lehtë, me përfshirjen e edukimit medial në shkollë. Por, sfida janë planprogrami mësimor dhe mësimdhënësit e kësaj fushe. Në Strategjinë për edukim medial do të duhej të punohej, në krye të herës për hartimin dhe miratimin e një planprogrami kurrikular mësimor, i cili do të mund të vihej në përdorim menjëherë, madje edhe në situatën aktuale, me lëndën e edukimit medial si lëndë zgjedhore mësimore.

Kuadri i mësimdhënësve të edukimit medial është një tjetër nevojë që do plotësuar. Momentalisht studentët e diplomuar në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do të mund të jenë kuadër i përshtatshëm për këtë detyrë. Por, duke qenë se për të qenë mësimdhënës janë obliguese të përfundohen studimet në fushën e edukimit, atëherë kjo nënkupton që sa më parë duhet të krijohet një program studimi në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, apo edhe në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë të Universitetit Publik, në mënyrë që të nxirren mësuesit e edukimit medial për shkollat tona. Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka qenë dhe vazhdon të jetë flamurtar në trajtimin e problematikës së edukimit medial, tashmë si një domosdoshmëri e kohës për të krijuar hapësirën e nevojshme në planprogramet mësimore parauniversitare.

Kur është fjala për moshat e të rriturve, ndryshon gjithçka, sepse këta nuk janë pjesë e arsimimit formal, prandaj me ta duhet të punohet në arsimim joformal. Institucionet shtetërore, arsimore dhe ato të fushës akademike, por edhe shoqëria civile, duhet të bashkëpunojnë që me fushata informuese, me trajnime e diskutime publike, të mbërrijnë të kenë qasje te grupmoshat e të rriturve, pra te moshat mbi 18 vjeç. Në këtë vazhdë bibliotekat e qytetit do të duhej të shndërroheshin në adresë ku qytetarët e rritur do të mund të merrnin pjesë në trajnime për edukim medial, ose për të pasur qasje në përmbajtjet e duhura të edukimit medial. Me Strategjinë për edukim medial, institucionet përkatëse të Qeverisë së re duhet të mendojnë edhe për bibliotekën digjitale, që do të ishte një mundësi shtesë për grupmoshat e të rriturve, të cilët do të përfshiheshin në trajnime online, në debate e diskutime, apo edhe në forma të tjera të të mësuarit për edukim medial, dhe jo vetëm.

 

Janar 2020

 

Botuar në ‘Koha Ditore’ dhe Koha.net:

Show Comments

No Responses Yet

Leave a Reply