Fushatat e manipulimit dhe ndërhyrjes së informacionit të huaj (FIMI) përdoren shpesh nga akterë dhe shtete të ndryshme në Kosovë, për të manipuluar ose minuar besimin në institucione dhe në sistemin demokratik. Shtete si Kina kanë strategji të ndryshme në aplikimin e këtyre taktikave në Ballkanin Perëndimor dhe në veçanti në Kosovë. Qasja e Kinës në Kosovë dallon nga ajo e akterëve të tjerë, pasi është më e heshtur dhe nuk mbështetet në investime të mëdha, por kryesisht në aktivitet në fushën e mediave.
Hulumtimet e viteve të fundit tregojnë se në Kosovë ekzistojnë dëshmi se narrativa pro-kineze po shpërndahet përmes mediave online. Përmbajtje që përputhet me narrativat shtetërore kineze është gjetur në burime të ndryshme, duke e paraqitur Kinën si një akter ndërkombëtar të përgjegjshëm dhe pozitiv, ndërsa vendet perëndimore në një dritë më ambivalente apo negative. Edhe pse Kosova mbetet një vend me orientim të fortë pro-perëndimor, iniciativa të tilla kanë tendencë të ndikojnë gradualisht në perceptimet e publikut.
Raporti “Vorbulla e rrenave” jep një pasqyrë konkrete të mënyrës se si funksionon ky mekanizëm. Ky raport thekson rastet e ripublikimit apo rishpërndarjes së materialeve të prodhuara nga media të lidhura me shtetin kinez (Radio Ejani apo CGTN Shqip) në media të Kosovës, pa kontekst dhe pa citim të duhur. Gjithashtu, kjo është e shfaqur në faqe të ndryshme Facebook-u, ku publikohen postime me informacione pozitive për Kinën dhe ekonominë e saj, siç janë shembujt e postimeve për veturat inteligjente në Kinë, apo veturat elektrike që paraqiten si më të suksesshmet.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme, pasi audiencat i perceptojnë informacionet nga burimet lokale ndryshe nga ato të mediave shtetërore kineze. Ky model përputhet edhe me gjetjet e Reporterëve pa Kufij, që e përshkruajnë strategjinë mediatike të Kinës si një përzierje të mesazheve shtetërore brenda mjediseve lokale të informacionit për të rritur besueshmërinë.
Rritja e pranisë ekonomike të Kinës përbën një shtresë tjetër të këtij fenomeni. Gjatë viteve të fundit, ajo është bërë një nga partnerët kryesorë importues të Kosovës, me produkte që variojnë nga pajisje industriale e deri te mallra të konsumit të përditshëm. Përderisa këto rrjedha tregtare janë të dukshme dhe të matshme, përmbajtja mediatike dhe reklamat që lidhen me to nuk janë. Paqartësia mbi mënyrën se si kompanitë e lidhura me këta zinxhirë furnizimi promovojnë produktet e tyre krijon hapësirë për ndikim indirekt, ku mesazhet komerciale mund të përzihen me përmbajtjen editoriale pa identifikim të qartë. Ndikimi është synuar edhe nëpërmjet pajisjeve teknologjike. Kompanitë kineze si Dahua dhe HikVision, të cilat kanë pasur prezencë të madhe në Kosovë me kamera sigurie, janë dyshuar për rrezik të vjedhjes së të dhënave personale. Të dyja kompanitë ishin vendosur në listën e zezë të SHBA-së, ndërkohë që edhe institucionet kosovare kishin ndërprerë kontratat me këto kompani.
Në periudhën 2020–2023, narrativa kineze në Kosovë është fokusuar kryesisht në paraqitjen e Kinës si model efektiv i menaxhimit të krizave dhe në portretizimin e reagimeve perëndimore si të ngadalta dhe të paorganizuara. Në vitet e fundit, ky fokus është zhvendosur drejt paraqitjes së Kinës si një model jetese dhe si alternativë vlerash ndaj SHBA-së dhe BE-së. Për më tepër, në periudhën e fundit, propaganda kineze është bërë më e drejtpërdrejtë në sulmet ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ministria e Jashtme e Kinës kishte akuzuar National Endowment for Democracy (NED) se financon OJQ lokale me qëllim të nxitjes së përçarjes shoqërore dhe politike në vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe Kosovën. Në rastin e Kosovës, qeveria kineze kishte përmendur edhe Sbunkerin se gjoja është organizatë e cila financohet nga NED-i, për të krijuar tensione në Kosovë. Propaganda kineze thekson zhvillimin teknologjik, sukseset ekonomike, energjetike dhe infrastrukturore, si dhe kritikon shpesh “standardet e dyfishta” të vendeve perëndimore. Radio Ejani në shkurt të këtij viti shkruante se si bizneset gjermane i kushtojnë rëndësi të madhe tregut kinez dhe duan të thellojnë bashkëpunimin me Kinën apo duke treguar se si kinematografia kineze po shënon rekorde me të ardhura rekord.
Qëllimi i Kinës është afatgjatë, nuk ka propagandë të hapur, por përmes integrimit të mesazheve në përmbajtje që duket e zakonshme dhe neutrale synon të ndikojë gradualisht në perceptimet e publikut. Qasja kineze nuk synon dominimin e hapësirës informative, por ndërtimin e një narrative të vazhdueshme dhe të besueshme, e cila me kalimin e kohës mund të përkthehet në rezultate ekonomike dhe politike. Pra, çështja kryesore nuk është dukshmëria, por vazhdimësia e ndikimit. Kjo krijon një asimetri strukturore, sepse, derisa prania ekonomike e Kinës është e dukshme dhe e matshme, ndikimi i saj në fushën mediatike mbetet i padokumentuar dhe i vështirë për t’u gjurmuar. Propaganda kineze në Kosovë nuk synon të dominojë, por të transformojë gradualisht perceptimet, veçanërisht në lidhje me modelet e qeverisjes dhe partneritetet globale. Nëse kjo qasje rezulton e suksesshme, ajo mund të minojë besimin e qytetarëve në institucionet perëndimore dhe vlerat demokratike, duke e bërë më kompleks rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës. Duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për integrimin në BE dhe kohezionin e NATO-s, edhe ndryshimet e vogla në perceptimet publike dhe të elitave mund të kenë pasoja të gjera gjeopolitike.
Rasti i Kinës në Kosovë pasqyron një prirje më të gjerë globale. Ndikimi nuk ka të bëjë më me fuqinë e dukshme, por me qëndrueshmërinë. Strategjitë e heshtura, të integruara dhe të vazhdueshme mund të jenë më efektive në formësimin e mjedisit strategjik, sesa fushatat e hapura.