Edukimi mbi Inteligjencën Artificiale në Kosovë nuk është luks, por urgjencë

April 3, 2026 7 mins to read
Share

Diskutimi nuk është më nëse duhet ta përdorim Inteligjencën Artificiale. Pyetja është se si do ta përdorim. Shoqëritë që investojnë në edukimin mbi IA-në do të kenë përfitime të ndryshme.

Inteligjenca Artificiale i ka ndryshuar, po i ndryshon dhe do t’i ndryshojë jetët tona. Roli i IA-së po shtrihet me një ritëm të shpejtë në përditshmërinë e të gjithëve, pavarësisht nga fusha apo profesioni që ushtrojmë. Zhvillimi i modeleve si ChatGPT, Gemini apo Copilot ka bërë që për një pjesë të madhe të shoqërisë të ndodhë një ndërveprim i përditshëm me IA-në. Në shkurt të vitit 2026, OpenAI raportonte se ChatGPT ka pothuajse 1 miliard përdorues javorë. Kjo është një rritje nga 700 milionë përdorues sa ishin në shtator të vitit 2025 dhe më shumë se dyfish nga shkurti vitit të kaluar kur ishin rreth 400 mijë përdorues.

Duke marrë parasysh këtë trend të hovshëm të përdorimit të IA-së për arsye të ndryshme, për të shkruar, analizuar, mësuar apo për të marrë vendime, shtete të ndryshme nëpër botë, tashmë kanë filluar programe të ndryshme arsimimi mbi Inteligjencën Artificiale (AI Literacy). Vende si Finlanda dhe SHBA-ja kanë lansuar nisma të ndryshme kombëtare. Finlandezët kanë filluar nga parashkollorët deri te programet universitare, apo edhe kurse që ofrohen nga kompanitë teknologjike. Bashkimi Europian ka përfshirë edukimin mbi IA-në në strategjitë e tij digjitale dhe në kuadër të Aktit për Inteligjencën Artificiale, duke theksuar rëndësinë e përdorimit të sigurt dhe etik të kësaj teknologjie. Këtë trend duhet ta ndjekë edhe Kosova dhe është domosdoshmëri që edhe në shoqërinë kosovare të ketë arsimim mbi Inteligjencën Artificiale, për rolin, mundësitë dhe implikimet etike të IA-së. Edukimi mbi IA-në përfshin katër elemente kyçe: të kuptuarit se çfarë është Inteligjenca Artificiale; si të përdoret me përgjegjësi; cilat janë rreziqet e mundshme; cilat janë aftësitë e nevojshme për të punuar me IA-në.

Zhvillimi i këtyre kompetencave ndihmon në ndërveprim më efektiv me teknologjinë e IA-së, në përdorim më të përgjegjshëm të IA-së, në rritje të ndërgjegjësimit për çështjet etike të IA-së, si dhe në njohje të rolit të IA-së në shoqëri. Një përdorues i informuar do të dijë, për shembull, cilat modele apo vegla të IA-së t’i përdorë varësisht nga nevoja, për kreativitet, analizë apo kërkim të bazuar në burime dhe, në të njëjtën kohë, do të jetë më kritik ndaj rezultateve që merr. Fjala vjen, për më shumë kreativitet në tekst mund të përdoret ChatGPT-ja, por nëse dëshiron rezultate të mbështetura në burime më të sigurta, atëherë Copilot apo Perplexity duhet të jenë alternativa para ChatGPT-së. Nga ana tjetër, mungesa e edukimit në këtë fushë rrit rrezikun që shoqëria të përdorë IA-në pa kuptuar kufizimet e saj, pa marrë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për këtë teknologji. Kjo përfshin rrezikun e pranimit të informacionit të pasaktë, ndikimin e paragjykimeve të të dhënave, si dhe ekspozimin ndaj dezinformatave të gjeneruara nga teknologji si “deepfakes”. Njohja e këtyre kufizimeve është po aq e rëndësishme sa edhe përdorimi i vetë teknologjisë.

Shtrirja e edukimit mbi IA-në në shoqëri nëpërmjet arsimimit formal dhe joformal

Derisa vendet e tjera e kanë prioritet zhvillimin e kompetencave të qytetarëve në fushën e IA-së, Kosova ka dështuar ta shtrijë edukimin medial në shoqëri. Vazhdon të jetë lëndë joobligative dhe inekzistente në pjesën më të madhe të shkollave të Kosovës. Ndërkohë, në vitin 2029, testi PISA do të ketë vlerësim për nxënësit edhe në domenin e edukimit për media dhe IA. Që këndej, edukimi mbi Inteligjencën Artificiale në Kosovë nuk është luks, por urgjencë.

Institucionet e Kosovës në bashkëpunim me akterë të tjerë shoqërorë duhet të angazhohen që të shtrijnë edukimin mbi IA-në në shoqëri në dy rrugë të ndryshme njëkohësisht, nëpërmjet arsimimit formal dhe atij joformal. Integrimi i edukimit për IA-në në kurrikulat shkollore është një hap kyç për ndikim afatgjatë. Nxënësit duhet të kuptojnë që në moshë të hershme jo vetëm çfarë është IA-ja, por edhe si ndikon ajo në shoqëri dhe cilat janë përgjegjësitë që vijnë me përdorimin e Inteligjencës Artificiale.

Integrimi i edukimit mbi IA-në në kurrikula shkollore mund të bëhet në lëndë të ndryshme dhe në mënyrë graduale, duke filluar me koncepte bazike dhe  duke avancuar drejt aftësive më të specializuara si programimi, analiza e të dhënave dhe zhvillimi i aplikacioneve të bazuara në IA. Për ta bërë këtë, është e nevojshme përshtatja e kurrikulave ekzistuese, trajnimi i mësimdhënësve dhe investimi në infrastrukturë digjitale në shkolla. Padyshim, ritmi i shpejtë i zhvillimit të teknologjisë është një sfidë serioze që kërkon përditësim të vazhdueshëm të njohurive. Për këtë arsye, edukimi për IA-në duhet të jetë fleksibil dhe dinamik. Institucionet arsimore, në veçanti Ministria e Arsimit, duhet të kenë rol udhëheqës në këtë proces.

Njëkohësisht me shtrirjen e edukimit mbi IA-në në shkolla, e rëndësishme është që të punohet paralelisht në arsimim joformal për ndikim sa më të shpejtë në tërë shoqërinë. Për këtë duhet të ketë edhe angazhim të akterëve të tjerë shoqërorë, organizata të shoqërisë civile apo iniciativa të komunitetit, për të organizuar aktivitete të ndryshme për grupe të ndryshme shoqërore, seminare, trajnime, module online apo kurse me vetëritëm, varësisht nga target-grupi i aktivitetit. Këto aktivitete ndërgjegjësuese dhe edukative kontribuojnë që shoqëria, jo vetëm të kuptojë më shumë mbi Inteligjencën Artificiale, por të jetë më e aftë të përfitojë nga mundësitë që ofron kjo teknologji dhe të zhvillojë zgjidhje konkrete duke u mbështetur në vegla të ndryshme të IA-së, por që mund të përshtaten për nevojat lokale.

Pra, refuzimi i kësaj teknologjie nuk është zgjidhje. Gabimi më i madh nuk është përdorimi i IA-së, por përdorimi i saj pa e kuptuar. Përdorimi i përgjegjshëm dhe etik i IA-së duhet të jetë standard, jo përjashtim. Në Samitin e Ndikimit të Inteligjencës Artificiale, të mbajtur muajin e kaluar në Nju Delhi, u tha se përfitimet e Inteligjencës Artificiale duhet të ndahen me gjithë njerëzimin, prandaj shoqëritë që investojnë në edukim mbi IA-në do të kenë përfitime të ndryshme. Megjithatë, nëse një shoqëri përdor Inteligjencën Artificiale pa e kuptuar atë, ajo më shumë rrezikon të manipulohet prej saj, sesa të përfitojë nga teknologjia.

Mars 2026